Site icon Telegrafi

Konstituimi i krizës në Kuvend (Video)

Të paktën deri në mesin e javës së ardhshme nuk do të ketë vazhdim të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kështu u vendos sot në mbledhjen e përfaqësuesve të partive politike, të thirrur nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci.

Edhe pse kjo mbledhje u thirr për të caktuar vazhdimin e tretë të seancës konstituive, kërkesa e koalicionit PAN edhe për një takim konsultativ u aprovua nga kryesuesi.

“Kryesuesi mori vendim në favor të PAN-it që të ketë takim prapë të mërkurën, domethënë të mos ketë seancë para kësaj date”, tha Glauk Konjufca, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ai shtoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në këtë takim, ngase siç u shpreh Konjufca ata janë për caktim të datës së vazhdimit të seancës, e jo për tryeza politike.

Ndërsa Enver Hoxhaj, përfaqësues i koalicionit PAN tha qe kërkesa e përbashkët e tyre është që nëse Kadri Veseli tërhiqet nga kandidimi për postin e kryeparlamentarit, Vetëvendosje dhe koalicioni LAA ta votojnë qeverinë Haradinaj. Ai shtoi se votimi i kryeparlametarit dhe Qeverisë të bëhen në pako.

“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dje ka dalë me një propozim që PDK të del me një kandidat tjetër me parakushtin e vetëm dhe të thjeshtë, nëse Kuvendi (Vetëvendosje dhe LAA) e voton qeverinë Haradinaj. Ky është qëndrim i yni”, tha Hoxhaj.

“Sigurisht që kryetari dhe Qeveria nuk hynë me votë të njëjtë, por është pako. Në kuptim politik është pako politike”, shtoi Hoxhaj.

Por, Konjufca propozimin e PAN-it e quajti qesharak, të cilin tha se Vetëvendosje nuk do ta pranojë në asnjë formë.

“Po duan të imponojnë kërkesa absurde, që i kërkon VV-së e LAA-së ta votojnë Haradinajn për Kryeministër”, tha ai.

Propozimin e PAN-it për votim në pako e quajti jo etik përfaqësuesi i LAA-së në këtë takim, Avdullah Hoti.

“Kërkesa e PAN që të votohet Kuvendi bashkë me Qeverinë, nuk ka asnjë normë etike. Po shihet që ka insistim të PAN-it që të shtyhet seanca konstituive”, tha ai.

Ndryshe, sot në vazhdimin e seancës konstituive nuk morën pjesë deputetët e koalicionit PAN, me përjashtim të deputetit Milaim Zeka, i cili tha se deputetët e PAN duhet të largohen nga logjika e bojkotimit të seancave, duke shtuar se kjo është logjikë që e ka instaluar Vetëvendosje.

Qëndrimin se PAN nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës e kishte bërë publik të enjten në konferencë për media Berand Stavileci, zyrtar i PDK-së, me arsyetimin se deputetëve po u bëhen presione publike e private nga LVV e LAA për “dirigjimin e votave”.

Këtu ai aludoi në presionin ndaj deputetëve Teuta Rugova e Labinot Tahiri nga LAA, të cilët janë përfolur se do ta votojnë qeverinë Haradinaj.

Stavileci ka akuzuar Vetëvendosjen se kanë keqshfrytëzuar foltoren e Kuvendit “që t’i bëjnë gjërat në mënyrë arbitrare”.

Po ashtu në seancën e djeshme PAN edhe pse kishte ardhur në sallë me afër dy orë vonesë, kërkoi prapë edhe dy orë tjera shtyrje të seancës, me arsyetimin se u duhen konsulta shtesë.

Kjo kërkesë u refuzua nga ligjvënësit dhe seanca u mbyll në orën 12:00 nga kryesuesi, por u thirr përsëri në orën 15:00. Edhe pas kësaj përsëri deputetët e koalicionit PAN nuk erdhën në sallë me arsyetimin se është thirrur në mënyrë arbitrare, pa u konsultuar me ta.

Dje të gjithë ligjvënësit nënshkruan deklaratën e betimit, e deputetët e Vetëvendosjes këtë gjë e bënë me nga një flamur kombëtar para vetes.

Referuar nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, kryesuesi i mbledhjes konstituive kërkon nga grupi më i madh parlamentar (në këtë rast koalicionit PAN) duhet ta propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit. I njëjti zgjidhet Kryetar me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, që nënkupton 61 nga 120 deputetë.

Por, vendimi i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese përcakton decidivisht se kryetari i Kuvendit i takon partisë apo koalicionit parazgjedhor që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje. Rrjedhimisht kjo pozitë takon koalicionit PAN. Por i njëjti nuk përcakton afate ligjore të cilat kufizojnë konstituimin e Kuvendit.

Mbledhja konstituive e Kuvendit nuk konsiderohet e përfunduar para se të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e tij.

Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti  i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës thotë se kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në pikën 4 të këtij neni.

Ndryshe të mërkurën kur do të mbahet takimi i radhës konsultativ, bëhen një muaj nga data e certifikimit të zgjedhjeve të parakohshme në vend. /KALLXO.com/

Exit mobile version