Nga partia e LSDM-së thonë se nëpërmjet politikave të jashtme të suksesshme Maqedonia ka arritur të marr mbështetje nga të gjitha vendet e rajonit dhe bota, përcjell Telegrafi Maqedoni
“Për një vit, Qeveria e udhëhequr nga LSDM, nëpërmjet politikës të jashtme të suksesshme, nëpërmjet ngritjes së miqësisë, lidhjeve, reformave dhe zgjidhjes së problemeve e ka kthyer Maqedoninë në rrugën e vërtet, në rrugën euroatlantike”, tha Konstadinov.
Gjithashtu ai shtoi se Maqedonia është bërë shembull në rajon për zgjidhjen e problemeve.
“Nga një vend i robëruar dhe i mbyllur, sot Maqedonia është shembull për zgjidhjen e çështjeve të hapura në interes të qytetarëve. Vend i respektuar, partner dhe mike e fqinjëve dhe botës”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSDM-së më tej shtoi se identiteti i maqedonasve është siguruar dhe forcuar, dhe janë hapur rrugët për proceset veri-atlantike të Maqedonisë.
“Është arritur marrëveshja historike e cila zgjidh kontestin disa dekadash, kontest e cila ka tërhequr vendin tatëpjetës. Maqedonia shkon përpara, e sigurt, është siguruar dhe forcuar identiteti kombëtar, janë hapur rrugën për në NATO dhe BE”, tha Konstandin Kostadinov. /Telegrafi/