Me siguri keni dëgjuar se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe nuk duhet ta anashkaloni atë. Megjithatë, ritmi i ri i jetës ka ndryshuar shumë gjëra, kështu që njerëzit shpesh nuk kanë kohë për të ngrënë mëngjes. Pra, sa e keqe është në të vërtetë anashkalimi i mëngjesit?
Për rëndësinë e këtij vakti të ditës dhanë mendimin e tyre disa mjekë, prej të cilëve shumica ndanë mendimin se është e rëndësishme që mëngjesi të ketë prioritet, por ka edhe përjashtime.
Në disa raste, në fakt është në rregull ta anashkaloni ngrënien që në mëngjes. Kardiologu Stephen Sinatra shprehet se është e rëndësishme ta aktivizioni metabolizmin në mëngjes, por ajo që hani është më e rëndësishme sesa kur e hani.
Qëllimi juaj në mëngjes duhet të jetë të zgjidhni ushqime me vlera ushqyese që do t’ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur dhe të kënaqur, në mënyrë që të mos jeni të uritur para drekës.
“Kur konsumohen ushqime me një indeks më të ulët glikemik, insulina juaj është automatikisht në kontroll më të mirë dhe trupi juaj thith lëndët ushqyese për një periudhë më të gjatë kohore”, shpjegon kardiologu Sinatra për LiveStrong.
Megjithatë, sipas nutricionistes Jayne Williams, anashkalimi i mëngjesit mund t’ju bëjë të dëshironi vakte jo të shëndetshme.
“Anashkalimi i vakteve shkakton uljen e sheqerit në gjak dhe për këtë arsye ju jep dëshirë (për ushqim), gjë që në 90 për qind e rasteve çon në mbikonsumim të sheqerit. Kjo ndikon më tej në nivelet e insulinës dhe mund të çojë në shtim të peshës, duke shkaktuar probleme të mëdha shëndetësore nëse kjo bëhet një praktikë e rregullt”, ka paralajmëruar ajo.
Gjithashtu, dietologia Williams thekson se nëse nuk jeni të uritur, nuk duhet të hani, por sipas profesorit klinik, Keith Thomas-Ayoob, është e rëndësishme të hani diçka brenda dy deri në tre orë nga fillimi i ditës. Kjo i jep kontroll shëndetit të qëndrueshëm të zorrëve dhe aktivizon sistemin tretës dhe sinjalizon metabolizmin tuaj që të fillojë të funksionojë. /Telegrafi/