Telegrafi

Konkursi për punëtor në varreza e bëri tërë Serbinë të habitet: Kërkojmë një person të komunikueshëm për të punuar në një mjedis pozitiv

Në faqen zyrtare të “JKP Gornji Milanovac” nga Serbia është shfaqur një konkurs për vend të lirë pune, që i ka bërë shumë të qeshin dhe është bërë hit në rrjetet sociale.

Në pamje të parë, reklama dukej krejtësisht normale, derisa arrihet në pjesën ku thuhet se kërkohet një person “komunikues” dhe se ambienti është “pozitiv”, dhe konkursi ishte për një punëtor që do të punonte në “varreza”, transmeton Telegrafi.

“Ndërmarrja publike Gornji Milanovac, për shkak të vëllimit të shtuar të punës, shpall konkurs për punëtorë në sektorin për largimin e mbeturinave te varrezat për një periudhë të caktuar kohore. Nëse jeni të komunikueshëm, të përgjegjshëm dhe të interesuar për të punuar në një mjedis pozitiv, mund ta dërgoni CV-në tuaj në adresën Vojvoda Mishiq 23. Bëhuni pjesë e ekipit tonë të suksesshëm”, thuhet në konkurs në faqen e internetit.

Mjaftoi ky konkurs i publikuar që të fillojnë talljet në llogari të kësaj kompanie për shkak të përshkrimit dhe kërkesave që i kishin në raport me kandidatët e interesuar.

“Po, janë shumë gazmorë, pozitivë, të qeshur dhe llafazan në varreza”, “të punosh në një ambient pozitiv, në varreza?”, “sa komunikues duhet të jesh kur punon në varreza”, janë vetëm disa nga reagimet ndaj kësaj reklame.

Pas përhapjes së konkursit në rrjetet sociale, kompania e lartpërmendur ka vënë re palogjikshmërinë dhe ka postuar një konkurs të ri. /Telegrafi/