Ne sot jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur në të cilin gjithçka ka ndryshuar në krahasim me kohën para vitit ’99. Për vendin tonë Kosovën ende kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë. Ajo që është brengosëse te ne dhe shumë vështirë për t’u arritur, gjithsesi që është papunësia.
Konkurset e punës në Kosovë, janë konkurse formaliteti në të cilat pranohen njerëzit të cilët kanë lidhje me partitë politike. Për të konkurruar për një vend pune sot në Kosovë, gjithsesi duhet të kesh njerëzit të cilët janë të inkuadruar në funksione të ndryshme shtetërore, sepse atëherë do të ketë mundësi që e fiton një vend pune.
Ajo çka e dominon këtë problem nëpër të cilin po kalon Kosova, natyrisht se është fenomeni i familjarizimit në institucione tona. Vendi ynë sot ballafaqohet me ndikimet politike të cila kudo dhe kurdo do të kenë ndikimin e tyre në konkurset e punës në Kosovë. Për t’u punësuar sot duhet të jesh një anëtar i një partie politike apo së paku një votues i asaj partie e cila udhëheq komunën tuaj. Për momentin në Kosovë edhe për pozitën më të ultë të punës duhet të njohësh dikë me ndikim.
Punëtori sot gjendet në pozitë të palakmueshme, sepse jo që nuk e ka pagën e duhur, por gjithmonë është nën presione të ndryshme. Për një konkurs pune sot bëhen përcaktimet për vendin e punës para kohe, dhe tani konkursi i shpallur mbetet vetëm një obligim formal, i cili kryhet sa për sy e faqe me qëllim që të krijohet një përshtypje te qytetari se gjithçka shkon sipas konkursit.
Sot vendi i punës, në vendin tonë është problemi më i madh që paraqitet te ne, sepse e gjithë ekzistenca e njeriut lidhet me punën. Për ta fituar një vend pune duhet të jesh i biri dhe e bija apo i afërmi i një funksionari të lartë shtetëror, i cili ka ndikim për pozitën e punës. Nga kjo gjendje për punësimin e njerëzve sot mësojmë se asgjë nuk është në rregull dhe njerëzit të cilët po e udhëheqin vendin janë të “infektuar nga familjarizim i tepruar dhe marrja parasë”.
Sot për ta zënë vendin e punës në mënyrë të sigurt gjithsesi se duhet t’ua japim kaparin drejtorëve qofshin të punës apo të drejtorive komunale. Në konkurset e punës garën për vendin e punës gjithmonë e fitojnë njerëzit të cilët ndoshta edhe janë më të dobët në rezultatet e tyre por garën e fiton i njohshmi.
Si mund të ndodhë që të futesh në mesin e të ftuarve në intervistë dhe të mos njoftohesh nga drejtoria komunale, kjo ndodh vetëm te ne dhe shihet qartë për tendenca të manipulimeve me konkurset. Problematika e konkurseve te ne është një telenovelë që zgjat deri në pambarim nga kjo anarki e krijuar në Kosovë, nuk pritet asgjë të ndryshojë për momentin. Kurbani i gjithë kësaj problematike po flijohen njerëzit me të panjohur dhe të talentuar që gjithsesi e meritojnë një vend pune…
(Autori vijon studimet postdiplomike ne Fakultetin e Filologjisë)