Nën tingujt e këngës “Stayin Alive” të Bee Gees, apo “Pretty Woman”, 14 gra të moshuara sfiluan në pasarelë si pjesë e një konkursi vjetor bukurie, në qytetin Haifa të Izraelit, që nderon të mbijetuarat e Holokaustit.
Të gjitha ato i kanë shpëtuar gjallë kampeve të përqëndrimit dhe marshimeve të vdekjes së Gjermanisë naziste. Të moshuarat u shfaqën me fustane elegante, bizhuteri rrëzëllitëse dhe me “make up” të lehtë, por fokusi kryesor ishte t’u dhurohej pak hijeshi e vëmendje, grave që kanë përjetuar tmerrin në rininë e tyre, tani që janë në të 80-at apo 90-at e tyre.
“Sonte po u rikthejmë të mbijetuarave të Holokaustit diçka që u është vjedhur kur ishin të reja. Ne duam t’i kënaqim ato”.
Dritat e forta e muzika e lartë nuk i stepën aspak pjesëmarrëset në garë, të cilat prisnin me padurim të pushtonin skenën me buzëqeshjet e tyre, në ndonjë rast të ndihmuara nga familjarë apo konkurrente të tjera.
Pjesëmarrësja më e re ishte 73-vjeçarja Malka Gorka, e lindur në Gjermani, e cila humbi të gjithë familjen gjatë Holokaustit, ndërsa më e moshuara, hungarezja 89-vjeçare Carmela Ben Yehuda, e cila mbërriti në Izrael pasi i mbijetoi kampit të vdekjes së Aushvicit.
Fituese u shpall 75-vjeçarja Anna Grinis, e lindur në Rusi. Ajo ishte vetëm 2 vjeç, kur nisi lufta dhe së bashku me nënën u shpëtoi nazistëve.
“Nëna më ka treguar gjatë të gjithë jetës për atë periudhë kur u arratisëm nga Moska, e kur nuk kishim ç’të hanim. Mezi mbijetuam”, transmeton tch.
Plot 6 milionë hebrenj u vranë nga nazistët para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 200 mijë të mbijetuar jetojnë tani në Izrael, shumica e të cilëve të përkrahur nga organizata.