Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka uruar popullin amerikanë me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.
Konjufca ka shkruar se më 4 Korrik të 1776, SHBA shpall mëvetësinë dhe fillon rrugëtimin e saj të drejtësisë, mundësive të barabarta dhe demokracisë.
“Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ardhja deri te dita e shpalljes së pavarësisë së saj është një lavd i demokracisë dhe triumfit të saj. Në histori njihen më pak fitore nga ata që u përpoqën për liri dhe barazi, në krahasim me sa të tilla numërojnë ata që për synim kishin krijimin dhe ruajtjen e gjendjes shtypëse. Tiranitë apo autokracitë mund të fitojnë qindra herë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në thelb, por vetëm njëherë kur triumfon demokracia, hapet një epokë”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari ka deklaruar se Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënonte fitoren në ardhje jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për të gjithë botën, e cila do të futej në procesin e gjatë dhe të pakthyeshëm drejt vlerave universale që promovoi ajo deklaratë pavarësie dhe që kultivuan institucionet amerikane të ngritura mbi ato themele.
“Shembulli i atij akti politiko-juridik, që u shoqërua pandashëm nga një gamë e gjerë e formave të pjesëmarrjes së popullit amerikan në betejën për pavarësim, është edhe sot shembulli më frymëzues i suksesit të demokracisë dhe i faktit të qartë se ajo është zgjidhja e vetme, e drejtë po aq sa efikase, për paqe dhe përparim afatgjatë.
Gëzuar 4 Korrikun, kombit amerikan, gjithë botës demokratike dhe atyre që përkasin në vlerat e saj!”, ka shkruar Konjufca. /Telegrafi/