Telegrafi

Konjufca tha se Ramush Haradinaj i ka keq punët me korrupsion, i reagon AAK-ja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë një ditë më parë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka punët me keq me korrupsion, ndërkaq ndaj kësaj deklarata ka reaguar sot AAK.

Konjufca, në T7  e ka akuzuar për korrupsion kreun e AAK-së, duke thënë se ky i fundit mund të përfundojë në Prokurori.

“Z. Haradinaj personalisht i ka punët shumë keq me korrupsionin. Në bazë të mandateve të kaluara, është shumë e mundshme me përfundu në Prokurori. Kështu që, z. Haradinaj është më e mundshme që të shpenzojë më shumë kohë me vetën, sesa që të merret me Qeverinë Kurti”, ka thënë ai.

“Dëgjoni vetëm shpjegimet dhe gjetjet që i ka bërë Ministri i Financave për pagesat astronomike, duke manipulu shifrat astronomike për shpronësim të tokave… Për korrupsionin nuk është kredibil as për me e zënë në gojë”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaq, lidhur me këto deklarata ka reaguar sot Grupit Parlamentar të AAK.

“Kur ‘Ushtria Fashiste e Facebook-ut’ e Albin Kurtit shanë e sulmon gjithsecilin dhe për gjithçka, kjo edhe është e kuptueshme se atë detyrë kanë dhe për atë paguhen. Po kur i jep gojës pa fre edhe njeriu që e mban postin e Kryetarit të Kuvendit, kjo është shqetësuese.

Ky zotnia bëhet edhe prokuror, edhe gjyqtar edhe pa fije turpi flet broçkulla në publik, se si Ramush Haradinaj paska probleme me ligjin për shpronësim tokash e korrupsion!

Sa për informimin e opinionit publik e jo për oborrtarët e Albin Kurtit (se këta të fundit e dinë të vërtetën), Ramush Haradinaj kurrë nuk është marrë me shitjen e as stërshitjen e tokave dhe në jetën e tij nuk ka pasur e as nuk ka një akuzë për asgjë, nëse këtu nuk i llogaritni akuzat e luftës speciale të Serbisë kundër tij!”, thuhet në reagim.

“E dyta, e dini ju e gjithë të tjerët se ky shtet e ka një sistem që merret me shpronësimin e tokave, kjo për projekte të interesit nacional dhe ky sistem është krejtësisht i pavarur dhe jashtë kontrollit të çdo kryeministri.

Prandaj ti Glauk Konjufca përgjigju pse vendi ku ti je Kryetar Kuvendi, është shndërruar në vend të vdekjes dhe kjo edhe me fajin tënd e të qeverisë e rrethit tënd!

Mos u merrni me rrena e me shpifje se po e tmerroni një popull të tërë me diskursin e poshtër publik.

Ruajeni pak fytyrë, se jeta është e gjatë e nuk i dihet!”. /Telegrafi/