Telegrafi

Konjufca takoi ambasadoren e Izraelit në Kosovë: Jetësimi i misioneve diplomatike, kapitull i ri i marrëdhënieve shtetërore mes dy vendeve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Shtetit të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Sipas njoftimit për media thuhet se kreu i Kuvendit e uroi ambasadoren Ziv për detyrën dhe i dëshiroi suksese, duke vlerësuar njëherësh jetësimin e misioneve diplomatike si një kapitull të ri me rëndësi të veçantë në avancimin e marrëdhënieve shtetërore, politike dhe ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

“Ai tutje vuri në pah raportet miqësore mes shqiptarëve dhe hebrenjve përgjatë historisë dhe u shpreh me mirënjohje për kontributin e Shtetit të Izraelit në strehimin e refugjatëve kosovarë të luftës. Në takim u shpreh gatishmëria e dyanshme për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për qytetarët dhe shtetet tona”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/