Kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshohen vetëm pse dëshirojnë presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Kufijtë aktualë, sipas tij, nuk mund të ndryshohen pa probleme, pa trazira dhe konflikte.
Konjufca tha po ashtu se opozita dhe sidomos Vetëvendosje, do të organizohet gjatë shtatorit për ta rrëzuar nga pushteti presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Cili është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket idesë për shkëmbim të territoreve me Serbinë që është përmendur nga presidenti Hashim Thaçi?
Glauk Konjufca: E para gjë brengosëse lidhur me idenë e presidentit Thaçi, lidhur me shkëmbimin e territoreve, ka të bëjë me befasinë dhe ngutësinë me të cilën erdhi në shprehje kjo ide. Për këtë arsye ,e bënë si një farë projekti, i cili nuk ta bëjë fare me zgjidhjen e çështje së shqiptarëve, por më shumë ka të bëjë me ndoshta disa kalkulime personale të presidentit Thaçi, që mund të lidhen ndoshta edhe me gjendjen e tij politike dhe frikën e tij për të ardhmen politike, në kuptimin e karrierës dhe pozitës që e mbanë. Pra, krejt kemi të bëjmë me lojëra të pushtetit dhe jo me, le të themi, me një projekt të vërtetë, të sinqertë, i cili brengën kryesore e ka te çështja e shqiptarëve, të cilët kanë mbetur jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës.
Qeveria e Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë, aq shumë janë angazhuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës sa që nuk kanë mundur ta hapin as një maternitet atje, që ka qenë edhe marrëveshje, i cili ka kushtuar 100 apo 200 mijë euro. Shtetet të cilat në mënyrë të paligjshme i japin 53 milionë euro për kompani private siç është “Bechtel- Enka”, por nuk mund ta hapin një maternitet në Luginë të Preshevës, unë nuk di tash si duan t’i ndërrojnë territoret. Përkujdesja për kombin, për Luginën e Preshevës, së pari duhet të niset prej një projekti, i cili merr kohë, për reciprocitetin e të drejtave të popujve.
Çfarë rezultate prisni nga takimi i ardhshëm mes dy presidentëve Thaçi e Vuçiq?
Glauk Konjufca: Unë nuk pres asgjë konkrete, mirëpo mund të thellohet fatkeqësisht kjo ideja e shkëmbimit të territoreve, për shkak se kjo ka hasur në një kundërshtim të drejtpërdrejt dhe të madh të përnjëhershëm.
Presidenti Thaçi e ka ndërruar fjalorin e tij paksa, nuk është duke folur më për shkëmbim të territoreve, por për korrigjim të territoreve. Ai po thotë që nga aspekti real i politikës dhe si qëndrojnë gjërat aktualisht, në terren, duke një naivitet paksa edhe qesharak sepse ai po thotë se krejt plani është që do t’ia marrim ne Serbisë Luginën e Preshevës dhe me kaq do të përmbyllet puna, Kosova do t’i shkoi Serbisë në territorin e vetë edhe do t’ia marrë atë pjesë. Pa pasur ushtri Kosova, me këto konstalacione të bashkësisë ndërkombëtare dhe më këto qëndrime, mendoj se është pak tallje për qytetarët e Kosovës.
Cilat do të jenë veprimet e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje. Do të vazhdoni me protesta e gaz lotsjellës në Kuvend?
Glauk Konjufca: Kjo do të kundërshtohet, presidentit Thaçi do t’i tregohet vendi i tij. Hashim Thaçi në një farë mënyre mund të thuhet që e ka privatizuar dialogun me Serbinë. Kjo është e papranueshme në një shtet demokratik. Kur presidenti zgjohet në një mëngjes dhe pa e mandatuar askush thotë se unë do t’i bëjë të gjitha, kjo është me të vërtetë brengosëse.
Unë mendoj se ka një masë kritike tani edhe të qytetarëve, edhe të shoqërisë, por edhe të deputetëve të cilët mendojnë që presidenti Thaçi nuk duhet të mbështetët në këtë projekt. Arritja e një marrëveshjeje shumë të dëmshme vetëm përmes mendjes së tij, atëherë unë nuk shoh rezultate të tjera por trazira në Kosovë dhe demonstrata shumë të mëdha të cilat do ta rrëzojnë presidentin Thaçi.
Ju si parti keni prezantuar një plan rreth bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. A do të ishte gati Vetëvendosje që të bëhej pjesë e këtij dialogu? Cili është kushti kryesor që të përfshiheni në dialog?
Glauk Konjufca: Kushti i parë kryesor për t’ia dhënë dialogut një farë lloj rruge konform interesave të shtetërore të Kosovës, do të ishte ndërprerja e këtij dialogu aktual. Të ndërpritet ky dialog, të vlerësohet dialogu i cili ka qenë deri tani, të vijmë deri në një konkludim se çfarë ishte ky dialog? Çfarë i solli Kosovës ky dialog? A kishte gabime në këtë dialog? Nëse kishte gabime, cilat ishin ato dhe të mësojmë se si nuk duhet të përsëriten, e më pastaj të krijohet një farë lloj ideje më e qartë se për çka është ky dialog. Këtu është prezantuar krejt gabimisht dialogu me Serbinë deri tani. Ky dialog është prezantuar si kusht i bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të lëshojë pe edhe të bëjë kompromis. Unë mendoj se është gabim të prezantohet kështu dialogu me Serbinë. Dialogu me Serbinë duhet të shpjegohet nga perspektiva e kapitullit të 35-të për Serinë për hyrje në Bashkimin Evropian.
Serbisë i imponohet që kur ta nënshkruajë kapitullin e 35-të, t’i definojë kufijtë dhe t’i pranojë me dorë të vet kufijtë e vet. Kështu që, me pranimin e këtyre kufijve, Aleksandar Vuçiqi e dinë që duhet t’i pranojë kufijtë aktualë të Kosovës dhe mendon që duke i pranuar kufijtë aktualë të Kosovës pa i dhënë Kosova asgjë, do të humbë shumë në politikën e brendshme edhe atje do të dalin forcat të cilat do ta sfidojnë më të vërtetë edhe pastaj lëkundet pozita e Vuçiqit brenda Serbisë. Këtë hall e ka Aleksandar Vuçiqi personalisht, pra dëshiron një marrëveshje e cila kur të nënshkruhet edhe kapitulli 35, të marrë edhe diçka të majme nga Kosova. Vetëm me këtë ambalazh mund ta shesë produktin brenda Serbisë. Nëse nuk e ka këtë ambalazh, mund të ketë probleme. Pra e ka nënshkruar kapitullin 35 dhe vetëm aq. Do ta fitojë Bashkimin Evropian, rrugën drejt Bashkimit Evropian, por në Kosovë nuk do të fitojë asgjë. Unë mendoj se kjo është zgjidhja e drejtë. Serbia mjafton ta fitojë Bashkimin Evropian, nuk ka pse ta fitojë edhe Kosovën edhe Bashkimin Evropian.
Kosova duhet të krijojë një pozicion të qartë politik edhe t’i thotë Serbisë: ose do ta fitosh Bashkimin Evropian ose nëse donë diçka në Kosovë, do t’i shpallësh luftë Kosovës. Këto janë dy. Nuk shkojnë të dyja bashkë. Nuk mundesh me lehtësi edhe Bashkimin Evropian ta fitosh edhe ta marrësh Zajednicën (Asociacionin) në Kosovë. Nuk është e mundshme. Në Evropën e shekullit XXI kufijtë ndoshta mund të ndërrohen me marrëveshje reciproke, mirëpo nuk mund të ndërrohen pa probleme edhe pa shkëmbim të popullatës. Askush, asnjë fshat nuk dëshiron të mbesë në anën e gabuar të kufirit. Ceraja apo Bistrica në veri të Kosovës, ata mendojnë t’i përkasin shtetit të Kosovës, jo shtetit të Serbisë edhe ata njerëz të cilët i kanë tokat e tyre aty, kanë jetuar stërgjysh e katragjysh aty, janë autoktonë, nuk mund të bësh marrëveshje me ta se çfarë do të bëjnë ata. Ata e dinë fare mirë se çfarë do të bëjnë. Do të rezistojnë. Do të bëjnë se çfarë kanë në dorë për të mos përfunduar në shtetin e Serbisë. Katër mijë shqiptarë jetojnë në veri të Kosovës, 60 mijë serbë jetojnë në jug të Kosovës dhe kjo nuk zgjidhet me laps.
Deri më tani asnjë platformë e partive politike për bisedimet në Bruksel nuk ka gjetur pëlqim dhe nuk ka një unifikim të veprimeve të opozitës. A po bëjnë mjaftueshëm partitë opozitare për të ndryshuar rrjedhën e bisedimeve?
Glauk Konjufca: Me këto veprime që po i bën regjimi politik po e ngushton hapësirën e veprimit demokratik, institucional. Kur në Parlament të Kosovës kemi në fuqi aktualisht rezolutë e cila thotë kryeministri duhet t’i udhëheqë bisedimet e presidenti i uzurpon, çfarë mund të bësh tjetër? Mund të mbash një fjalim në Kuvend të Kosovës, por ku janë kufijtë e logjikës institucionale të veprimit edhe kufijtë demokratik të veprimit politik.
Populli mund ta shohë se kjo më nuk ka kuptim, edhe po mendoj që në vjeshtë jemi duke hyrë në një fazë të re të pakënaqësisë politike, e cila e sheh në veprimin institucional, në mosefikasitetin e demokracisë edhe të institucioneve do ta sheh një lloj pafuqie, dhe nuk do të pajtohet populli me këtë pafuqi dhe fuqinë e vet do të mundohet ta tregojë në formë pakënaqësie me demonstrata e protesta që tashmë kanë filluar.