Site icon Telegrafi

Konjufca reagon pasi Serbia tha se do të hapin kufirin me Shqipërinë: Do të përgjigjemi me reciprocitet

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk  Konjufca, ka reaguar ashpër pas lajmit se Qeveria serbe ka marrë vendim që të hap kufirin me Shqipërinë, por jo me Kosovën.

Konjufca  ka thënë se hapja e kufijve për shtetet fqinje nga ana e Serbisë duke përjashtuar Kosovën është qasje e opabarabartë dhe diskriminuese.

Ministri në detyrë shkruan se Qeveria e Kosovës e dënon qasjen e tillë të Serbisë karshi Kosovës, ndërkaq thekson se edhe Republika e Kosovës do të përgjigjet reciprokisht kësaj pengese.

“Qeveria e Kosovës dënon qasje e pabarabartë dhe diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës. Serbia ka hapur kufijtë për qytetarët e vendeve të regjionit por jo për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Tëitter.

“Kjo qasje dëshmon edhe një herë se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Republika e Kosovës do t’i përgjigjet reciprokisht kësaj pengese të Serbisë për qytetarët e Kosovës”, shkruan Konjufca.

Serbia pritet që t’i hap kufijtë për lëvizjen e qytetarëve plotësisht nga 1 qershori për katër vende, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Shqipërinë, edhe pse me këtë të fundit nuk kufizohet. /Telegrafi/

Exit mobile version