Site icon Telegrafi

Konjufca: Raporti i Dick Marty kishte për qëllim goditjen e pavarësisë së Kosovës

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke folur për historikun e krijimit të Gjykatës Speciale, tha se  se nuk ka qenë rastësi që libri i Carla Del Pontes pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Konjufca tha se Del Ponte në librin e saj ankohej seriozisht dhe pretendonte se faktorët e fuqishëm ndërkombëtarë e kanë penguar ta kryente misionin e saj.

“Ajo thoshte se ka hasur në pengesa përmes ndërhyrjeve të niveleve të larta. Ajo thotë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale. Ajo përgjegjës i bënë krerët e UÇK-së dhe dëshironte të kriminalizonte UÇK-në”, ka thënë Konjufca, për RTK.

Ai më pas tha se pas këtij libri është mobilizuar delegacioni rus në Këshillin e Evropës.

“Ishte iniciativë e koordinuar ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, pasi që mocioni i dorëzuar nga Kosaçev në titull e kishte trafikimin e organeve. Këto nuk mund të jenë të rastësi, pasi janë goditje pas shpalljes së pavarësisë. Pas dy vjete këtë temë e merr Dick Marty, pra në vitin 2010”, ka thënë tutje ai.

Konjufca shtoi se dihet lidhjet e ish senatorit Marty me Serbinë dhe Rusinë, duke përmendur deklaratën e ish ambasadorit serb në Zvicër.

“Ambasadori serb në Zvicër ka bashkëpunuar ngusht me Martyn dhe e ka furnizuar me prova”, tha tutje ai.

Sipas tij, goditja me raportin e Martyt për Kosovën erdhi edhe pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Meqe nuk u kontestua shtetësia e Kosovës filloi goditja tjetër përmes Dick Martyn. Pra iniciativa për Gjykatën Speciale na vjen prej Rusisë dhe Serbisë”, tha ai.

Më pas Konjufca foli edhe për krijimin e Taskë Forcës pas raportit të Dick Martyt, trup ky i udhëhequr ish prokurori Clint Williamson.

“Në raportin e Williamsonit thuhet se ka pasur një grup brenda UÇK-së që ka pasur për qëllim likuidimin e kundërshtarëve politikë, kolaboracionistëve, pjesëtarëve të pakicave, etj. Ndërkaq trafikimi i organeve që përmendej çuditrisht u zhduk”, tha ai.

Konjufca tha se deputetët evropianë e votuan raportin e Martyt pikërisht për shkak të trafikimit të organeve, e që tashmë ky pretendim nuk ekziston më.

Exit mobile version