Site icon Telegrafi

​Konjufca “qorton” deputeten Pacolli: Çka je duke bërë?

Kuvendi i Kosovës sot ka shqyrtuar në lexim të dytë Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, pas ndërprerjes në gjysmë të shqyrtimit për buxhetin për vitin 2023.

Në seancën e jashtëzakonshme për këtë projektligj u ngritën disa paqartësi, gjatë fjalës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila kërkoi rregullimin e disa gabimeve teknike të projektligjit.

Por gjatë fjalës së saj, ndërhyri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i kërkoi llogari se çka është duke bërë.

“Zonja Pacolli a po i shpjegoni amendamentet a qysh është puna. Çka je t’u bërë”, tha ai.

Mirëpo, deputetja Pacolli i sugjeroi kryeparlamentarit të jetë i vëmendshëm, pasi po të ishte i tillë do të kuptonte.

“Jo kryetar sikur të kisha vëmendjen do të kuptonit”, tha ajo.

Megjithatë, Konjufca insistoi më versionin e tij, duke kërkuar sqarime nëse prezantimet që po i bën deputetja Pacolli janë ndryshime të tanishme.

“Jo, Jo, nëse janë prezantime të ndryshimeve tash për tash që po i bëni, a po i shpjegoni ndryshimet që kanë ndodhur deri tani. Njëra është”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, deputetja Pacolli sqaroi se ajo po lexonte ndryshimet teknike të Projektligjit, pasi janë gjetur gabime teknike nga administrata e Kuvendit.

“Jo unë po tregoj se në ditën e fundit, kur administrata ka trajtuar plotësisht projektligjin ka gjetur disa gabime teknike dhe këto po i prezantoj këtu”, tha ajo. /kp/

Exit mobile version