Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se qeverisë Haradinaj nuk i interesojnë hallet e qytetarëve, por menaxhimi i vetvetes.
Konjufca u shpreh po ashtu se i vetmi dallim i kësaj qeverie me atë të kaluarën është se kryeministri Haradinaj ‘vrapon më shpejt’.
“…Kësaj qeverie i duhet dhe një ministri për zëvendësministrat. Kjo tregon se qeverisë nuk iu interesojnë hallet e qytetarëve por menaxhimi i vetvetes. Kjo është arsyeja pse nuk kemi pasur kurrë ligj për qeveri. Që 17 vite kemi qeveri e asnjëra nuk e ka sjell ligjin për qeverinë, pasi që secila qeveri që vjen bën çka t’ia donë qejfi me strukturën e saj. Lladrovci ka thënë ‘Ligji është si llastiku’, e unë po them ‘Qeveria është si llastiku’”, ka thënë ai.
Konjufca po ashtu tha se problemi i dytë i kësaj qeverie është vartësia nga Lista Serbe.
“Kemi vartësi nga Lista Serbe apo thënë më mirë nga këshillat kryesore që Beogradi i jep Listës Serbe. Vizita e parë e Listës Serbe ishte në Rusi që të marrin direktiva nga atje. Pse nuk reagoi asnjë nga qeveritarët për këtë takim që ata kanë bërë në Rusi. Më e pakta që do duhej të ndodhte do ishte që të përjashtonte Listën Serbe nga Kuvendi”, shtoi tutje shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Konjufca.
Ai gjithashtu tha se qeveria do duhej të koncentrohej në formimin e ushtrisë, e jo vetëm në demarkacion.
“Po devijohet tema nga thelbi pasi vendimin e ushtrisë e kemi përpara. Ajo çka është më rëndësi është që kryeministri të na tregoj se në cilin opsion është përcaktuar, pasi janë dy opsione në tavolinë. Ushtria duhet të bëhet vetëm në dy mënyra më Kushtetutë apo me Ligj. Koncentrohuni në temën e ushtrisë e jo në demarkacion, pasi e keni votën pro”, theksoi Konjufca. /Telegrafi/