Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se raportet e kryeministrit Albin Kurti me kryeministrin Rama janë lënduar, por, sipas tij, “nuk janë acaruar sa për të mos u takuar”.
Konjufca tha se mbi të gjitha duhet të shihet interesi kombëtar dhe se raporti Rama-Kurti do të rregullohet.
I pyetur për propozimin e Ramës për Asociacionin, Konjufca tha se elemente të tij përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë.
“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të zotëri Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, deklaroi Konjufca.
Konjufca ka akuzuar Tiranën zyrtare edhe sa i përket pozicionit opsionit të shkëmbimit të territoreve.
“Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht në anën e opsionit të shkëmbimit territorial me Serbinë dhe mendoj se kjo e ka dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar Kosovën edhe ideja e Ballkanit të Hapur, sepse ky është dallim nga ajo që ka nevojë Kosova. Dhe tani është edhe e treta ku ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk po na kupton Republika e Shqipërisë. Mendoj se me këto pozicione Kosova mund vetëm të dëmtohet”, theksoi ndër të tjera kryetari i Kuvendit./Telegrafi/