Telegrafi

Konjufca priti në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, gatishmëri për avancimin e bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion austriak të kryesuar nga Karl Wilfing, kryetar i Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, i cili shoqërohej nga nënkryetari i parë, Karl Moser dhe deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner.

Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen të cilën Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj, duke theksuar nevojën e vazhdimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Gjatë takimit u vlerësuan raportet e mira dhe partneriteti i fuqishëm midis Austrisë dhe Republikës së Kosovës. Po ashtu u shpreh gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave parlamentare dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë mes dy shteteve tona.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendësi i tij, Martin Schaller.​/Telegrafi/