Site icon Telegrafi

Konjufca priti në takim ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes Rudolf Scharping, flasin për integrimet euroatlantike të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping, njëherësh autor i librit “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”, në të cilin dokumentohen masakrat e Serbisë kundër shqiptarëve të pambrojtur.

Konjufca me këtë rast i shprehu mirënjohje Scharping për kontributin e dhënë në themelet e lirisë dhe shtetësisë së vendit tonë, si dhe për përkrahjen e fuqishme që Gjermania po i jep Kosovës në proceset e deritanishme.

Duke folur për integrimet euroatlantike, kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës ndodhet në proceset e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, dhe pret vazhdimin e mbështetjes së fuqishme nga Gjermania mike.

Vizita e Scharping përkon me 23-vjetorin e Ditës së Çlirimit, derisa kryetari Konjufca nënvizoi se përgjatë kësaj periudhe në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të theksuara pozitive në konsolidimin e institucioneve tona demokratike, të shtetësisë dhe integrimeve evropiane.

Ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, pasi e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, u shpreh i entuziazmuar me përparimin dhe të arriturat e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version