Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.
Konjufca në një postim në Facebook ka shkruar se letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.
“Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari ka shtuar se si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistiken e tij.
Konjufca ka theksuar se Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve.
“Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme. Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare! Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij! Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!”, ka shkruar Konjufca. /Telegrafi/