Telegrafi

Konjufca: Nuk duhet të lëvizë ambasada nga Jerusalemi, nëse rrezikohet njohja e Izraelit

Deputeti i Lëvizjesa Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është shprehur se partia e tij me të ardhur në Qeveri do ta shqyrtojë me shumë kujdes çështjen e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit.

“Vendosjen e marrëdhënieve diplomatike do ta shqyrtojmë më kujdes. Çështja ka shkuar shumë larg. Është hapur ambasada. Nëse do ta zhbësh ambasadën, e cila lëkund njohjen nga Izraeli, nuk duhet të ndodhë. Mendoj që lëvizja e ambasadës nuk duhet të bëhet me çmimin e rrezikimit të njohjes së Izraelit. Është gabim për shtetin e Kosovës, mendoj unë”, ka thënë Konjufca për Klan Kosova.

“Kjo që për ne erdhi një njohje me rëndësi në kohën kur ishim të mbështetur për muri prej fushatës agresive të Serbisë për çnjohje që arriti mes 10-12 notave verbale që mori Serbia. Kjo ishte një prapakthim për Kosovën dhe në këtë proces kur ndodh njohja nga Izraeli, duhet të çmohet. Albin Kurti si kryeministër në ardhje e ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Konjufca” në Rubikon të Klan Kosovës.

Konjufca ka përmendur se lokacioni i vendosjes së ambasadës në Jerusalem, ka qenë dakordim verbal mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Jerusalemi si koncept dhe lokacion nuk përmendet askund në mënyrë të shkruar në marrëveshjen që e ka bërë Kosova me SHBA. Në një dokumentin që e ka nënshkruar Qeveria Hoti që është më shumë zotim para Trump… në ato sa i përket Kosovës dhe pjesës së Kosovës nuk përmendet Jerusalemi si lokacion. Siç duket në bisedën telefonike, gojarisht e kanë shërbyer Hoti me Netanyahun derisa kanë folur për hapjen. Është premtim gojor i Qeverisë Hoti ndonëse jo i dakorduar në dokumentin zyrtar”, është shprehur Konjufca.