Site icon Telegrafi

Konjufca: Nuk duhet të ketë kushtëzime për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se nuk duhet të ketë kushtëzime për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Konjufca përmes një prononcimi për media ka thënë se Serbia është duke shkel marrëveshjet e arritura me Kosovën, pasi siç tha ai Serbia iu ka shkruar letra shteteve kundër liberalizimit të vizave.

“Është gabim që të ketë pikënisje në formë të kushtëzimit. Marrëveshja nuk ka kushtëzime, është gabim që të ketë kushtëzime. Marrëveshja… sekuencimi i marrëveshjes, hapat sipas kohës janë vetëm ata që fillojnë pas nenit të 2, neni i 2 hynë në fuqi në momentin që palët pajtohen, pra që shtetet funksionojnë si sovrane. Ju lutem çfarë sjellje është kjo kur Serbia iu shkruan letra shteteve edhe kundër liberalizimit, kjo është e tepërt, kjo është një sjellje që po tregon që ajo marrëveshje për Serbinë është zero”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, shtetet e QUINT-it kanë deklaruar se nuk mund të ketë Asociacion pa u kthyer serbët në institucione e vendit.

“Kam dëgju vendet e QUINT-it kanë thënë se nuk ka Asociacion pa u kthyer serbët në institucione. Le të na tregojnë a e kanë ndërruar këtë qëndrim vendet e Quint-it apo jo, pyesni edhe ato. Unë e kam dëgjuar deklaratën e tyre se pa u kthyer në institucione nuk ka Asociacion, d.m.th nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin duke e shantazhuar Kosovën, prej Beogradit”.

I pyetur për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier se presin që kryetarët e rinj të komunave të marrin një rol teknik dhe jo politik, Konjufca u shpreh: “Rolet e kryetarëve të komunave janë të përcaktuara me Kushtetutë…Mendoj që ata nuk do të kenë as më pak e as më shumë. Ne jemi shtet demokratik dhe po synojmë të funksionojmë me ligje me rregulla.  Ndoshta për këtë ka mendu ambasadori që mund të jetë problematike me ushtru misionin me kompetenca të plota, mirëpo ne duhet të bëjmë çmos dhe institucionet tona të sigurisë që ta kuptojmë të gjithë që ne po jetojmë në një shtet demokratik…ftesa ishte shumë e gjatë e hapur për Listën serbe dhe për të gjitha partitë serbe për të marrë pjesë në zgjedhje.

Tash këtu nëse ka ndonjë projekt alternativ tjetër për me sfidu Kosovën le të na tregojnë, por nëse është për me marr pjesë në zgjedhje dhe me i qeverisë institucionet e Kosovës, e ajo në Republikën e Kosovës mund të ndodhë vetëm në një mënyrë: Kur qytetarët votojnë në mënyrë demokratike, jo me dhunë, jo me struktura paralele, jo me komanda e dirigjime prej Beogradit. Institucionet e Kosovës nuk udhëhiqen kështu, ato udhëhiqen kur del në zgjedhje, kur regjistrohet… Kryetarët janë zgjedhur do ta bëjnë betimin e tyre, kjo është si duhet të vazhdojmë përpara”, ka thënë ndër të tjera Konjufca. /Telegrafi/

Exit mobile version