Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, ka theksuar se nga Shpend Ahmeti do të kërkojnë llogari nëse ka qenë në jaht, ashtu siç po pretendohet.
Ai ka thënë në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, se të gjitha ato fjalë se jahti është i devollve, i qazimve, i ibishëve, sipas tij, janë spekulime të mediave të pushtetit.
“Duhet ta argumentoni që është. Njeriu po pin kafe në një anije në Mal të Zi, dhe t’i japin konotacion të tillë dhe të spekulohet. Për mos me qenë spekulim, duhet të prezantohen faktet”, ka theksuar Konjufca.
Ai më tutje ka thënë për të vërtetuar se jahti ka qenë pronë e devollve, duhet me e pyet sipas tij, kryetarin e Prishtinës, se “a e ke ditë, dhe natyrisht që do t’i kërkohet llogari”.
“Shpend Ahmeti i ka lëshuar dy tri reagime, ku besoj se janë të vërteta. Ato që ka thënë nuk kam çka shtoj tjetër. Ai ka prezantuar veten me bashkëshorten dhe ka thënë që ka qenë duke pirë kafe, në një lloj anije sikur jahti”, ka shtuar Konjufca.
Deputeti i VV-së ka thënë se të njëjtat media të cilat nuk e thanë asnjë fjalë për sulmin ndaj Dardan Molliqajt – i cili u sulmua nga 8 persona – tash po bëjnë akuza ndaj Shpend Ahmetit.
“Ky është projekt i Kadri Veselit, nuk është tendencë. Tendencë për me diskreditu VV-në, me këto tregime të pabesueshme. Për me u sqaru se çka është kjo punë, nuk duhet të gjykohet në kësi mënyra, mbi spekulime dhe pa kurrfarë fakti”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=B5ZbWDt4wgU&feature=youtu.be