Site icon Telegrafi

Konjufca në takim me senatoren amerikane: Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst.

Në këtë takim, Senatorja Ernst shoqërohej nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, Atasheu ushtarak i ShBA-ve në Kosovë, Kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, Shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën Amerikane.

“Senatorja Ernst përgëzoi kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e parezervë të ShBA-ve për Republikën e Kosovës. Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca shprehu falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e ShBA-ve dhe të Senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës.

Tutje, në njoftim thuhet se Konjufca rikonfirmoi po ashtu gatishmërinë për forcimin e miqësisë së palëkundur dhe partneritetit ndërmjet vendeve tona, duke theksuar se roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë. /Telegrafi/

Exit mobile version