Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer.
Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe e falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e palëkundur të Austrisë ndaj Republikës së Kosovës.
“Kryetari i Kuvendit theksoi se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht por edhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese, duke nënvizuar njëherësh rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, njofton Drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës.
Në takim, ku u shkëmbyen pikëpamje edhe përkitazi me zhvillimet politike në vend e rajon, u bisedua me theks të veçantë për bashkëpunimin në kuadër të programit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Austriak.
Nëpunës të administratës së Kuvendit të Kosovës do të kenë mundësinë të marrin njohuri dhe të njihen me praktikat e Parlamentit të Austrisë.
Konjufca dhe Ambasadori Schnetzer po ashtu shprehën gatishmëri për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha e sektorë të tjerë me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë./Telegrafi/