Telegrafi

Konjufca në Debat Plus: Molliqaj të merr Salih Salihun dhe tërë SHIK-un dhe përballemi në gjykatë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini,  për herë të parë në televizion ka folur për akuzat e Molliqajt ndaj tij, se kishte qenë pjesë e SHIK-ut.

Konjufca tha se Molliqaj do të japë përgjegjësi në Gjykatë për shpifjet e tij se dhe se nuk merret më me debate televizive duke e refuzuar kështu ftesën e djeshme që Molliqaj i bëri përmes Fb.

“Jo vetëm Salih Salihun, por tërë SHIK-un le ta merr me vete, nëse ka ndonjë të vërtet për mua, unë dal ballë hapur në gjykatë. Tash më kjo nuk është çështje e debateve televizive. Kjo ka shkuar me shkelje të ligjit, e këto shkelje unë i trajtoj në gjykatë”, tha Glauk Konjufca.

Duke folur për prishjen e marrëveshjes së dikurshme të VV-së me AAK-në, Konjufca tha se shkak ishte gatishmëria e Haradinajt për bashkëpunim me PDK-në dhe arsyetimi ishte Gjykata Speciale.

“Kur jemi takuar me Ramush Haradinajn, kur është prishur VAN-i njëra ndër arsyeja kryesore ka qenë PDK-ja. Kam qenë në atë takim bashku me Limajn, Albinin, prej AAK-së, Ramushi dhe Ahmeti nëse s’gaboj. Kur kemi ardhur te pika me kënd me vazhdua përpara Ramushi ka ngulmua në PDK-në. Kur e kam pyetur pse Ramush kështu, ai, më vjen keq por e ka përmendur Gjykatën Speciale”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca.

Ndërkaq tha se VV është e gatshme ta rrëzojë Qeverinë edhe me votat e Listës Serbe, por se VV nuk u kërkon atyre nënshkrimet.

Konjufca ka folur edhe për taksën ku ka thënë se heqja e saj pa u arritur njohja nga Serbia do të ishte gabim.

Emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, mund ta ndiqni sonte në RTV Dukagjini, duke filluar nga ora 20:30.