Site icon Telegrafi

Konjufca në 22 vjetorin e sulmeve të NATO-s takon komandantin e KFOR-it, Federici – flasin për sigurinë

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.

Në njoftim thuhet se Federici ka përgëzuar u.d. Presidentin Konjufca për suksesin në zgjedhje, duke ofruar vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë për sigurimin e një ambienti të paqësor për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, Konjufca, ka përmendur 24 marsin e vitit 1999, kur ndërhyrja e forcave të NATO-s, shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga shfarosja nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Në 22 vjetorin e bombardimeve ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, u.d. presidenti Konjufca ka falënderuar komandantin Federici për kontributin e shtetit italian, forcave të NATO-s, por edhe ato të KFOR-it, të cilat ndihmuan për lirinë e Kosovës dhe po ndihmojnë edhe më tej në aspektin e sigurisë.

“Në qershor të vitit 1999 ka ndodhur rikthimi i 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga regjimi serb. Ne kemi rilindur”, ka theksuar z.Konjufca, duke iu referuar kontributit të Aleancës Veriatlantike për lirinë e Kosovës.

Më pas, u.d. Presidenti Konjufca ka bërë homazh dhe ka vendosur kurorë te monumenti i pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version