Telegrafi

Konjufca nderon të rënët në Sllovi: Pa gjakun e tyre nuk do të vinte liria

Në vazhdën e vizitave e të nderimeve pranë memorialëve dhe varrezave të të rënëve nëpër vise të ndryshme të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vendosi lule pranë lapidarit të të rënëve të fshatit Sllovi të Komunës së Lipjanit.

Kryetari Konjufca, në bashkëbisedim me përfaqësuesin e këtij fshati dhe disa prej familjarëve të martirëve, ndër të tjera tha se në ditë si kjo, kujtojnë të gjithë ata që me gjakun e tyre siguruan lirinë e vendit.

“Lavdi gjakut të derdhur, sepse pa gjakun e tyre nuk do të vinte as liria e as pavarësia. Ata ranë që fëmijët tanë të vazhdojnë të jetojnë në Kosovën tonë të lirë”, tha Konjufca.

Më 15 e 16 Prill 1999 në fshatin Sllovi të Lipjanit, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë. /Telegrafi/