Sonte në Tetovë nën organizim të Komunës së Tetovës po shënohet 25 vjetori i sakrificës heroike të familjes Jashari, ku i pranishëm është edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Në një dalje para mediave, para fillimit të manifestimit, Konjufca deklaroi se të dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, janë në koordinata të njëjta sa i përket të ardhmes së rajonit drejt BE-së.
“Çështja e luftërave në Ballkan ka përfunduar, është punë e kryer. Unë nuk di ndonjë nga këto parti më të mëdha maqedonase që të jenë kundër qëndrimit të Maqedonisë në NATO apo kundër anëtarësimit në BE. Sa i përket Kosovës, të dy partitë më të mëdha, unë nuk kam parë ndonjë dallim sa i përket pozicionimit karshi Kosovës. kur ka qenë njëra ka intervenuar NATO dhe ajo e ka mbështetur. Kur ishte tjetra, u shpall pavarësia dhe njëjta e përkrahu këtë proces..”, tha mes tjerash Konjufca.
I pyetur për Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe lidhjen eventuale të tij me krijimin e një asociacioni të komunave shqiptare në Maqedoni, Konjufca tha se jemi kundër zgjidhjeve territoriale etnike në Ballkan, përcjell “KlanM”.
“Ne jemi kundër zgjidhjeve territoriale etnike në Ballkan dhe kemi qenë kundër atij projekti të vitit 2017 për shkëmbimin e territoreve në vija etnike. Ne nuk mendojmë se kjo është zgjedhje evropiane. Kosova është kundër një zgjidhjeje të tillë. Jemi që Republika e Kosovës të jetë shtet unitar, ta ketë unitetin e vet institucional dhe të refuzojë zgjidhje që kanë karakter të autonomive etnike në Ballkan. Sa i përket këtu, forcat politike se si pozicionohen ato në shtetin ku jetojnë, iu takon atyre që ta shpjegojnë. Aty Republika e Kosovës nuk përzihet dhe është çështje autonome e tyre”, tha Glauk Konjufca.