Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka folur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Konjufca tha se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.
“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, 3 breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baci Shaban, e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën deri në vetëflijimin e tyre të plotë”, tha Konjufca.
Konjufca shtoi se lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, e bota u zhvendos nga orbita e vet politike.
“Ky është momenti kur UÇK-ja u bë frymë dhe e përfshiu tërë popullin tonë”, deklaroi Konjufca.
Konjufca përmendi edhe Rifat Jasharin të cilin e quajti “hero të gjallë”.
“I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët. Vetëm për 1 minutë ta zini vendin e bacës Rifat dhe më thoni a nuk është ky definicioni i heroit të gjallë?, tha Konjufca. /Telegrafi/