Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot ambasadorin e Norvegjisë në Prishtinë, Jens Erik Grondahl, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.
Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e deritashme të Norvegjisë për Kosovën në shumë fusha, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës është rruga të cilën e përkrahin pa dallim të gjitha institucionet dhe spektri politik në vend, andaj përkushtimi për përmbushjen e detyrave që përshpejtojnë këtë proces është punë me prioritet.
Ambasadori Grondahl tha se Norvegjia ka qenë afër Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, duke dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim.
Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të përkrahur Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet projekteve që lehtësojnë punën e administratës dhe të ligjvënësve.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka vend dhe hapësirë që Kosova dhe Norvegjia të avancojnë bashkëpunimin ndërparlamentar, në ekonomi, arsim, kulturë dhe sferat tjera me interes të dyanshëm.