Site icon Telegrafi

Konjufca: Plani franko-gjerman, hapi më i madh për zgjidhjen e problemit, që nga viti 1999

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka dhënë detaje për përmbajtjen e planit franko-gjerman që i është propozuar Kosovës e Serbisë.

Konjufca tha se esenca e këtij plani është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.

“Tash kur po e sheh që Serbia po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heq dorë ndaj pretendimet e saj ndaj Kosovës”, tha Konjufca, për Klan Kosova.

I pari i Kuvendit thotë se Kosova nuk e ka luksin të refuzojë planin e tillë.

“Baza e tij është një bazë e shëndosh për ecje përpara për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshje që është thelbi i kësaj marrëveshjeje”.

“Që nga shtatori kur e kam parë mendoj se nuk e kemi luksin ta refuzojmë. Plani ndërtohet mbi tri principe: Është e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”.

Ai ka thënë se plani i tillë është një bazë e mirë për të zgjidhur deri në njohjen e plotë relacionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë kryeparlamentari thotë se nuk dihet çka do të ndodh me këtë plan pasi sipas tij Serbia e ka refuzuar atë.

“Unë nuk po shoh ndonjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare me këtë refuzim që i ka bërë Serbia atij plani”, tha Konjufca.

Konjufca tha se propozimi franko-gjerman është më i mirë që nga viti 1999 për të zgjidhur problemin.

“Ky plan nuk e zgjidh problemin siç ne po mendojmë, por ky është hapi më i madh deri tash që nga viti 1999 për të zgjidhur problemin me Serbinë”, u shpreh ai.

Exit mobile version