Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur lidhur me sondazhet e ndryshme mbi zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Ndonëse sipas vitit kalendarik zgjedhjet e rregullta parlamentare e lokale do të mbahen vitin e ardhshëm, vazhdimisht ka sondazhe të ndryshme mbi atë se kush do të fitojë.
Konjufca ka thënë se janë vetë partitë politike ato të cilat po i porositin këto sondazhe. Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një betejë të fortë për vendin e dytë duke aluduar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë fituese.
“Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë opinioni publik, por hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave të ndryshme, edhe prej partive politike të cilat vetë po i porositin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta. Unë mendoj që do të jetë një garë shumë të ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës”, ka deklaruar kryeparlamentari të mërkurën para mediave.
Ai ka komentuar edhe koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA, i paralajmëruar për sot. Ka thënë se koalicionet nuk janë ndonjë befasi pasi që ato kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe se AAK-ja ka qenë edhe më herët në koalicion me NISMA-n.
“Koalicionet kanë ndodhur në Kosovë edhe në të kaluarën gjithmonë. Po ndodhin edhe tash. Nuk është ndonjë befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me NISMA-n, po ndodh sërish”, është shprehur Konjufca.
Këto deklarata ai i ka bërë pas përkujtimit të heroit Kadri Zeka në Prishtinë.