Telegrafi

Konjufca flet për rusin në Këshill të Evropës për të cilin thotë se është nismëtar i raportit të Dick Martyt

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca ka treguar se kush është iniciuesi i vërtet i raportit të Dick Martytit.

Konjufca në emisionin “Debat plus” thotë se mocioni për rezolutë në Këshill të Evropës ishte paraqitur në vitin 2008.

Ishte Konstantin Kosachev, asokohe kryesues i deputetëve të Federatës Ruse në Këshill të Evropës, që propozoi këtë mocion.

“Mendoj se raporti i Dick Martyt është iniciuar nga Rusia dhe këto fakte i kam mbledhur sa kam qenë pjesë e delegacionit të Evropës kur është miratuar raporti. Unë kam qenë pjesë e Këshillit prej vitit 2011 deri në vitin 2015 dhe pjesa që më së shumti që më ka interesuar është raporti i Dick Martyt. Kur kam hyrë në arkivat e këtij Këshilli dhe çfarë kam gjetur ka qenë shumë e habitshme dhe e neveritshme”, thotë Konjufca, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se ky mocion ishte dorëzuar dy javë nga Kosachev pas publikimit të librit nga prokurorja Carla Del Ponte.

“Në arkiv e kam gjetur mocionin i cili është dorëzuar në Komitetin Juridik dy javë pas publikimit të librit të Carla Del Pontes. Mocionin e kishte dorëzuar Konstantin Kosachev. Kosachev ka qenë udhëheqësi i deputetëve të delegacionit rus. Konstantin Kosachev pasi e boton Del Ponte librin, ku thotë që në këtë periudhën maj-qershor 1999 dhe gjashtë muaj kur është çliruar Kosova, 300 persona janë zhdukur në Kosovë dhe janë dërguar në Shqipëri, pretendimi i saj, janë hequr organet dhe me to është bërë tregti, duke aluduar në pjesëtarë të UÇK-së. Dy javë rri gati Kosachev dhe e deponon një mocion i cili e ka emrin ‘Mocion për trafikimin e organeve gjatë konfliktit në Kosovë dhe të trajtimit çnjerëzor’”, tregon ai.

Rezoluta e propozuar nga Kosachev

Konjufca shpjegon se raporti burimin e ka nga rusi Kosachev.

“Në vitin 2010 atë temë e rimerr Dick Marty. A nuk po është e habitshme që të jetë titulli i njëjtë i raportit të Martyt. Kjo vjen prej Konstantin Kosachevit e jo prej Martyt, pastaj Marty e ka prodhuar një raport 50 faqesh. Raporti është i mbushur me pa të vërteta, me shprehje raciste për shqiptarët si shoqëri fisnore, do me thënë aty shkruan se shqiptarët nuk janë komb, është raport i ndyrë dhe burimin e ka të Konstantin Kosachevi, drejtues i delegacionit rus në Këshillin e Evropës”, shpjegon Konjufca.

Rezoluta e propozuar nga Dick Marty

Kjo rezolutë më vonë ishte votuar në Parlamentin Evropian dhe i kishte hapur rrugën përpilimit të raportit të Dick Martyt dhe më pas edhe themelimit të Task Forcës Speciale për hetimin e pretendimeve të dala nga raporti, e që udhëhiqej nga prokurori amerikan John Clint Williamson. /Telegrafi/