Pas PDK-së, është Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila duhet ta caktojë datën për tryezën e partive politike. Por kjo parti ende nuk ka vendosur, se kur do t’i thërras partitë tjera në takimin e radhës.
Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca thotë për KosovaPress se edhe pse sot kanë pasur një takim për të diskutuar për këtë, nuk kanë arritur pajtueshmëri lidhur me organizimin e tryezës në fjalë. Ndërsa thotë se kanë dilema dhe se ndoshta do ta ri-konceptojnë formatin e këtyre tryezave.
“Ne ende nuk kemi vendosur, ndonëse e patëm një diskutim sot në Kryesi të VV-së, por ende nuk e patëm një pajtueshmëri lidhur me mënyrën e organizimit të kësaj tryeze dhe formatin e organizimit të kësaj tryeze. Krejt dilemat që kanë lindur kanë të bëjnë me faktin që vlera e këtyre tryezave u degradua shumë, pasi që ato devijuan nga temat qendrore, e cila është pas konceptuar në fillim nga organizatorët. Ju e dini që ato u patën shpallë si tryeza, për të caktuar zgjedhjet e reja në Republikën e Kosovës. Menjëherë pas tryezës së parë, kur e organizoj PDK- ja kurrfarë teme për zgjedhje nuk u fol dhe ato përfunduan në një tryezë, ku i kemi dy taborë. Opozita e cila e kritikon punën e Qeverisë dhe qeveria e cila mundohet të na bind për sukseset e mëdha, për punën që e ka krijuar. Nëse k ëto tryeza përfundojnë në kësi ndarje, të cilat mund t’i shihni edhe në parlament të Kosovës, në diskutime, atëherë çfarë kuptimi ka organizimi i tryezave të tilla. Kështu që pikërisht këto dilema na kanë bërë që ndoshta ta rikonceptojmë dhe formatin e këtyre tryezave në përgjithësi”, tha Konjufca.
Sipas tij në tryezën të cilën do ta organizojë VV-ja, gjithnjë nëse mbahet temë diskutimi do të jenë dhe zgjedhjet, përndryshe këto takime duhet të zhvendosen në Kuvendin e Kosovës, aty dhe ku mund t’i diskutojnë temat e tilla.
“Me siguri që po. Për shkak që ne mendojmë që duhet t’ia ruajmë këtyre tryezave atë motivin fillestar për të cilën ato kanë nisur. Nëse kanë filluar me idenë për zgjedhje të reja, atëherë pse jo kjo do të jetë tema qendrore. Nëse pushteti nuk pajtohet me këtë temë, atëherë duhet të tregoj me sinqeritet që nuk është i interesuar për tryeza të vërteta politike, por për tryeza kur ne vetëm shprehim qëndrimet tona politike. Atëherë nëse këto tryeza reduktohet në këtë punë, unë jam shumë më mirë që t’i zhvendosim ato në Kuvend të Republikës së Kosovës, me diskutime të vërteta. E jo t’i zëvendësojmë institucionet dhe ballafaqimin politik me disa tryeza joformale, të cilat gjënë me të rëndësishme është se po i përshëndet Hashim Thaçi, po thotë janë shumë të bukura”, tha ai.
Ndërkaq i quan kot tryezat e tilla duke përsëritur se nuk është i sigurt nëse javën që vjen do të ketë tryezë të partive politike.
“Janë kot. Tryeza ku ne vetëm barrikadohemi vetëm në prezantimin e qëndrimeve tona të thjeshta se çka mendojmë për Kosovën. Nuk janë në rregull për mendimin tonë. Sepse këto gjëra shumë më mirë i bëjmë në formë të debateve parlamentare. Në formë të interpelancave ku ne ballafaqohemi me pushtetin dhe natyrisht nuk pajtohemi”, tha Konjufca./KP/