Site icon Telegrafi

Konjufca e dërgon në Komisionin e Venecias, Projektligjin për Këshillin Prokurorial

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias, Projektligjin për Këshillin Prokurorial.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga zyra për media e Kuvendit.

“Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim theksohet se duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë.

Lexo po ashtu KPK reagon ndaj miratimit të Projektligjit të ri për KPK-në: Vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës

“Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka mirëpritur gatishmërinë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për t’u konsultuar me Komisionin e Venecias për ndryshimet e rishikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Szunyog ka potencuar se rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore.

Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës miratimin e këtij Projektligjit të ri e ka cilësuar si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e saj.

KPK-ja, theksoi se miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili, njëkohësisht, minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version