Telegrafi

Konjufca i drejtohet sërish Komisionit të Venecias, pyet nëse janë adresuar rekomandimet e tyre në Projektligjin për Byronë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi të shtunën se i është drejtuar sërish Komisionit të Venecias, me kërkesën për verifikimin e amendamenteve, nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në llogarinë e tij në Facebook, Konjufca shkroi se këtë adresim ndaj Komisionit e ka bërë pas përfundimit të punës së Grupit Punues në Projektligjin për Byronë.

“Pas përfundimit të punës së Grupit Punues në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në koordinim me Ministren e Drejtësisë, dje i jam drejtuar sërish Komisionit të Venecias, me kërkesën për verifikimin e amendamenteve, nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj”.

“Falënderoj secilin anëtar të Grupit Punues për përkushtimin dhe punën në këtë nismë të rëndësishme, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar kryeparlamentari. /Telegrafi/