Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar shtatë vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.
Përmes një shënimi në Facebook, ai ka thënë se prej shtatë vitesh drejtësia s’po e gjen vetveten.
Konjufca thotë se jeta, veprimtaria, idealizmi, guximi dhe të gjitha virtytet e aktivistit politik të pashoqë u sublimuan në emrin e Astrit Deharit.
“Aty do të cilësohet gjithnjë vlera e përpjekjeve tona si shtet i dinjitetit dhe shoqëri e emancipimit”.
Konjufca thotë se sistemi ynë i drejtësisë ende nuk e ka zbuluar misterin e vdekjes së Astrit Deharit.
“Vrasja e tij dëshmoi në mënyrë flagrante masën e padrejtësisë që prodhuan institucionet tona, kurse sistemi ynë i drejtësisë duke e lënë akoma të mbuluar krimin e kobshëm zbulon në mënyrë të përsëritur ngecjen në një të shkuar të errët dhe të dyshimtë”.
Por ai thotë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi.
“Përpjekja jonë për drejtësi nuk do të ndalojë. Drejtësia për Astritin do ta shënojë fitoren dhe reformimin e shumëpritur të sistemit të drejtësisë”, shkroi ndër të tjera Glauk Konjufca./Telegrafi/