Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Në këtë takim, Konjufca dhe kryetari Gashi diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve tona legjislative.
Gjithashtu, biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë.
Konjufca shprehu bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve tanë.
“Bashkëkombësit tanë, vlerat dhe synimet e përbashkëta janë ato që qëndrojnë midis raporteve tona të shkëlqyera shtetërore si garanci e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer dhe thellimit të tij”, u shpreh Konjufca.
Gashi e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar sa më shumë me projekte dhe punë të përbashkëta, të cilat çojnë në drejtim të përmbushjes së synimeve dhe interesave të vendeve tona.