Telegrafi

Konjufca dhe drejtori i NDI-së për Evropë diskutojnë bashkëpunimin për hulumtimet parlamentare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli, priti sot në takim drejtorin e NDI-së për Evropë, Robert Benjamin, ku ndër të tjera u bisedua për bashkëpunimin që Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe NDI kanë kultivuar mes tyre për rreth dy dekada.

Kreu i Kuvendit Konjufca, theksoi se shumë arritje të Kuvendit janë shënuar falë mbështetjes së kësaj organizate partnere, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve në shumë segmente të punës së legjislativit por, edhe të forcimit të demokracisë në Kosovë.

Përgjatë këtij takimi, kryeparlamentari Konjufca dhe drejtori i NDI-së, Rober Benjamini, shqyrtuan avancimin e modaliteteve të bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në fushën e transparencës dhe të hulumtimeve parlamentare, në funksion të miratimit të ligjeve sa më cilësore.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kuvendi, në këtë takim mori pjesë edhe drejtoresha e NDI-së për Kosovën, Nancy Soderberg dhe përfaqësues të tjerë të stafit të NDI-së në Prishtinë.