Site icon Telegrafi

Konjufca dhe deputeti Genc Nimanbegu flasin për raportet Kosovë-Mali i Zi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim deputetin e Listës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutuan për zhvillimet politike, me theks të veçantë rolin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare në shërbim të stabilitetit dhe bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi.

Kryetari Konjufca vuri në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete bashkërrugëtuese drejt integrimit evropian, dhe shtoi se komuniteti shqiptar atje ka shërbyer gjithnjë si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona.

Po ashtu tha se Kosova është shtëpi edhe e shqiptarëve të Malit të Zi, sepse kontributi i tyre përgjatë historisë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë ishte jashtëzakonisht i madh.

Në takim u theksua nevoja e koordinimit më të mirë të faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimit më të ngushtë në të ardhmen. /Telegrafi/

Exit mobile version