Glauk Konjufca, shef i Grupit parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje tha se gjuajtja me armë nga ana e ministrit të Diasporës, Dardan Gashi është shkelje e ligjit dhe veprim jo i hijshëm i një zyrtari shtetëtor.
Ai tha se me meqenëse ministri Gashi ka gjuajtur me armë, duket se nuk i ka shikuar reklamat e KFOR-it.
“Zyrtarët e shtetit duhet të kenë kujdes me paraqitjen e tyre në publik”, tha Konjufca.
Shefi i Grupit parlamentar i VV-së tha se e kupton që në odën e burrave kur sheh që të tjerët po gjuajnë, të vjen të bëhesh trim edhe pa qenë hiç.
Sipas tij, problemi më i madh është kur dihet se ku ka ndodhur, në shtëpinë e zëvendëskryeministrit.
“Edhe më shqetësues bëhet kur merret vesh arsyeja pse janë mbledhë. Janë mbledh për të festuar që zv.kryeministri ka dalë i pafajshëm prej drejtësisë lidhur me aktakuzën për korrupsion”, tha Konjufca.
Sipas tij, derisa kryeministri Haradinaj e kishte arsyetuar veprimin e ministrit Dardan Gashi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri të paktën ka qenë i rreptë me deklaratat, duke thënë se shkelësit e ligjit duhet përgjigjur para drejtësisë.
Glauk Konjufca më tej tha se rreziku është edhe sa dinë Gashi të gjuajë me armë dhe për këtë ishte dashur të shtohet perimetri i rrezikshmërisë. /Telegrafi/