Përfaqësuesit e Klubit të Biznesit kanë realizuar një takim me kongresmenin Rober Aderholt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të bërë nga Klubi i Biznesit në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, transmeton Telegrafi.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë për një takim të suksesshëm midis Klubit të Biznesit dhe kongresmenit të respektuar, Robert Aderholt. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të forcuar lidhjet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, bëhet e ditur në njoftim.
Mes tjerash në komunikatë theksohet se “kongresmeni Aderholt tregoi interes të veçantë për projektet dhe përpjekjet tona për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë”.
“Diskutimet tona u përqendruan në iniciativat që mund të sjellin përfitime të ndërsjella dhe rritje të qëndrueshme për të dy vendet”, vijon njoftimi.
Klubi i Biznesit ka falënderuar kongresmenin Aderholt për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj ndaj zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Ne jemi të sigurt që ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frutshëm dhe të gjatë”, përfundon njoftimi.
Klubi i Biznesit ka realizuar edhe disa takime të rëndësishme në SHBA./Telegrafi/