Telegrafi

Kongresmenët dhe Banka Botërore dakord me autostradën

Në biseda të ndara me kongresistët Engel e Himes, Limaj i njoftoi ata me gjendjen aktuale, politike dhe ekonomike në Kosovë, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova si shtet i ri po ashtu për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe për rrugën që duhet ndjekur për të hapur perspektiva të zhvillimit të vendit tonë, thuhet në një komunikatë të MTPT-së.

Limaj falenderoi posaçërisht kongresmenin Engel për angazhimin e tij personal në realizimin sa më të shpejt të projektit të autostradës. Po ashtu – siç thuhet në komunikatë – ministri Limaj gjeti mbështetje nga Engel që tani e tutje të angazhohemi së bashku që Kosova sa më shpejt të ketë kodin e saj telefonik dhe domenin e internetit.

Engel dhe Himes, siç thuhet më tej, vlerësuan punën që po bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Transportit në ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit.

Gjatë vizitës së tij ne SHBA, ministri Limaj u takua edhe me përfaqësuesit e Bankës Botërore, me zyrtarët e lartë të këtij institucioni Richard Martin Humphreys dhe Henry Kerali. Limaj, në këto takime shprehu nevojën dhe kërkoi ndihmën e Bankës Botërore për investime në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe Transportit në Kosovë.

Humphreys dhe Kerali, sipas komunikatë, thanë se “Banka Botërore ka qenë dhe do të jetë edhe më tutje aktive në ndihmesë për MTPT-në. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministrinë e Transportit për të siguruar dhe ofruar ndihmën tonë dhe asistencën më të mirë të mundshme, sidomos në projektin e autostradës Morin –Merdare”.

Sipas tyre, autostrada është një projekt i madh dhe do të përkrahet sa më shumë që është e mundur.

Edhe në takimin me zyrtarët e lartë të Organizatës Amerikane OPIC, sipas komunikatës së MTPT-së, Limaj ka marrë premtime për angazhimin e tyre maksimal për ndihmë Qeverisë së Kosovës në sektorin e infrastrukturës rrugore. /Telegrafi/