Telegrafi

Kongresi mbështet planin e Shtëpisë së Bardhë

Ligjvënësit amerikanë sot pritet të votojnë mbi paketën financiare, e cila parasheh të jepen 700 miliardë dollarë për të shpëtuar sektorin bankar.

Raportet thonë se Dhoma Përfaqësuese do të votojë sot, ndërsa Senati javën që vjen.

Ky është intervenimi më i madh i qeverisë në tregjet financiare që nga Depresioni i Madh. Plani parasheh që qeveria t’i blejë borxhet e këqija nga kompanitë financiare, me shpresë që t’i shkrijë kreditë e ngrira.

Kryetarja e Dhomës Përfaqësuese, Nancy Pelosi, tha se plani nuk është "nxjerrje e Ëall Street-it nga balta", por një mënyrë për të mbrojtur taksapaguesit dhe për të ringjallur ekonominë amerikane. Ajo tha se plani pritet të bëjë kthesë në ekonominë amerikane.

Lideri i shumicës në Senat, Harry Reid, tha se dakordimi që u arrit, është meritë e dy palëve, demokratëve dhe republikanëve.

Marrëveshja u arrit në kohën kur nga Evropa filluan të vijnë lajme të këqija financiare. Grupi financiar belgo-holandez, Fortis, u shpëtua nga shteti pasi kryetari i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, zhvilloi bisedime të jashtëzakonshme me zyrtarët e Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut.

Në Londër, rregullatorët gjithashtu përgatiten të nacionalizojnë kompaninë Bradford & Bingley.

Në Gjermani, Hypo Real Estate po zhvillon bisedime urgjente me rregullatorin shtetëror të bankave dhe Ministrinë e Financave për ta zgjidhur krizën që e ka kapluar. /Radio Evropa e Lirë/