Telegrafi

Konfuzion i madh në Pejë pas masave të reja kufizuese

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, ka folur për situatën në Pejë pas hyrjes në fuqi të masave të reja për lëvizjen e qytetarëve.

Zefaj në RTV Dukagjini ka thënë se vendimi i fundit i qeverisë ka krijuar konfuzion të madh te qytetarët në Pejë.

“Çdo gjë ka ardhur shumë shpejt dhe në mënyrë të papritur dhe të pa planifikuar mirë. Ka pasur shumë telefonata nga qytetarët e fushave të ndryshme që nuk kanë ditur se si të veprohet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës thotë se i kanë marrë të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe tash janë duke punuar në atë drejtim se si të menaxhohen ato.

“Kufizimi 90 minutësh është problem pasi njerëzit nuk kanë pasur informata se ku do të furnizohen dhe si do të furnizohen. Shumë familje kanë persona të sëmurë në familje dhe ky kufizim u ka krijuar atyre shumë paqartësi dhe kanë thirrur për të kërkuar nga ne zgjidhje”.

Zefaj thotë se më problematike ishte nëse punëtorët kanë të drejt të shkojnë në punë apo jo pasi sipas tij jo të gjithëve u është përshtatur shifra e parafundit në numrin e letërnjoftimit me kohën e punës.

“Edhe firmat nuk e kanë ditur nëse kanë drejt të punojnë apo jo”.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës thotë se probleme të mëdha kanë pasur edhe ata që shpërndajnë ushqime apo që shpërndajnë qumësht.

Zefaj thotë se për shumë probleme i janë drejtuar Shtabit Emergjent shtetërorë por sipas tij emailat nuk u janë kthyer për çka është dashur vet të zgjidhin problemet e qytetarëve në këtë drejtim./Telegrafi/