Disa media izraelite po raportojnë se kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar një armëpushim në Gaza, megjithatë ende nuk ka pasur një njoftim zyrtar, raporton BBC, përcjell Telegrafi.
Konflikti tashmë disa ditësh midis Izraelit dhe Palestinës hyri në javën e dytë si dhe të dyja palët kishin presion ndërkombëtar për të ndaluar luftimet.
Gjatë ditës së djeshme, presidenti amerikan, Joe Biden i kërkoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ulje të tensioneve dhe të kërkojë rrugën drejt armëpushimit.
Të enjten më shumë se 100 sulme ajrore izraelite vunë në cak infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës. Hamasi ia ktheu me raketa.
Sipas mediumit izraelit Jerusalem Post, kabineti izraelit i sigurisë votoi të pranojë një armëpushim të enjten vonë.
Armëpushimi pritet të hyjë në fuqi në ora 02:00 me kohë lokale, sipas raporteve në Izrael dhe nga disa medie arabe.
Në anën tjetër, një zyrtar i Hamasit ka konfirmuar se do të ketë një armëpushim “të ndërsjellë dhe të njëkohshëm” me Izraelin, raporton Reuters. /Telegrafi/