Telegrafi

Konfiskohet sasi e madhe e drogës në kalimin kufitar “Bogorodica” në dalje të Maqedonisë

Në kalimin kufitar “Bogorodica” për dalje nga Maqedonia, gjatë ditës së djeshme është konfiskuar një sasi e madhe e lëndëve narkotike, gjegjësisht marihuanë dhe hashash.

Nga Drejtoria e Doganave të Maqedonisë sot në konferencë për shtyp njoftuan se droga ishte e destinuar për tregun në Greqi dhe Turqi, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Gjatë ditës së djeshme rreth orës 12:30 është kryer aksion nga ana e inspektorëve doganor, të cilat kanë konfiskuar sasi të mëdha të lëndëve narkotike. Në kalimin kufitar në Bogorodicë, një makinë me targa të Shqipërisë e drejtuar nga O.L dhe bashkudhëtarja A.J – të dy nga Shqipëria, është paraqitur për kontroll. Dy personat në drejtori nuk kanë paraqitur asgjë për doganë, por nga ana e inspektorëve është kryer kontrolle dhe janë gjetur 49 qese me marihuanë (35 kilogram) dhe 9.5 kilogram hashash”, thanë nga Drejtoria e Doganave.

Ata gjithashtu njoftuan se ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për veprën “prodhim të paligjshëm dhe lëshim në treg të lëndëve narkotike”./Telegrafi/