Tash 10 ditë Agjencia për menaxhim me prona të konfiskuara vepron sipas vendimit gjyqësor për konfiskimin e pronës së kompanisë “Transmet” të Sead Koçan. Vendimi është i ndërlikuar, thotë drejtori i Agjencisë, Faton Asani, pasi shteti duhet të konfiskojë pronë në vlerë prej 19 milionë euro, siç thuhet në vendimin e gjyqit. Fillimisht janë përgatitur vendime për bartjen e pronave të patundshme nga kompania “Transmet” në emër të Agjencisë.
Nga gjithsej 26 patundshmëri, vetëm 3 janë lënë peng në bankë, ndërsa për 23 tjerat e mbetura, Asani shpreson se Kadastra së shpejti do bëjë ndryshimin e pronësisë, nga privat në pronësi shtetërore.
“E përmenda vetëm pronën e patundshme, banesa, tokë, hapësira afariste. Ka edhe 204 automjete që ne tani i dërguam të verifikohen në Regjistrin Qendror, pasi ka dokument që 24 automjete që janë me vlerë më të lartë janë lënë peng në disa banka”, deklaroi Faton Asani, drejtor i Agjencisë për Menaxhim e Pasuri të Konfiskuar.
Në një pjesë të mekanizimit të “Transmet” që është lëndë konfiskimi, shpreson edhe ELEM, si palë e dëmtuar. Por Agjencia do presë të përfundojë procesi i konfiskimit dhe më pas do vendosë nëse prona do dhurohet ose do shitet në ankand.
Nga Gjykata Penale edhe sot e përsëritën përgjigjen se gjykatësi për zbatimin e sanksioneve ende nuk ka marrë vendim ndaj kërkesës së Sead Koçanit për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për shkak të sëmundjes. Koçan dje duheshe të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin.