Site icon Telegrafi

Konfiskohen mbi 17.000 euro të falsifikuara

Policia e Kosovës ka sqaruar se në orët e hershme të mëngjesit (18.10.2011) një qytetar nga Prishtina kishte gjetur një sasi të parave në një kontejner të mbeturinave në rrugën e “UÇK”-së në Prishtinë.

“I njëjti menjëherë ka kontaktuar me autoritetet policore në drejtorinë rajonale të Prishtinës dhe rasti është iniciuar në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK). Pas verifikimit të parave në bankënota prej 500 € dhe 100 € nga zyrtarët e DHKEK-së, policia dyshon se bëhet fjalë për monedha të falsifikuara pasi në to mungojnë tiparet e sigurisë duke filluar nga kualiteti i letrës, numrat serik, shenjat ujore etj”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe në të njëjtën kohë bënë apel tek të njëjtit që të jenë të kujdesshëm gjatë pranimit të bankënotave të ndryshme dhe së pari t’i kontrollojnë për tiparet e sigurisë.

Ndryshe, tiparet e sigurisë tek bankënotat origjinale euro janë: Shenja ujore-Shtypi reliev (me gritha); shiriti i sigurisë; hologrami (vula e hologramit); ngjyra vizualisht e ndryshuar (me lëvizjen e bankënotës ndryshon ngjyra nga vjollce në të gjelbër); shiko përtej regjistrit (në pjesën e përparme gjendet gjysma e numrit të bankënotës kurse gjysma tjetër gjendet në pjesën e pasme por në të njëjtën pozitë); mikro-shkrimi- kualiteti i letrës (është më i yndyrshëm dhe ka aromë). /Telegrafi/
 

Exit mobile version