Konfiskohen 217 kilogramë lëndë narkotike në Itali, duke bërë që të vihen në pranga dy shqiptarë.
Një operacion i përbashkët mes Policisë Kufitare dhe forcave Policore Italiane ka sjellë në kapjen dhe sekuestrimin e një sasie prej 217 kg lënde narkotike e llojit marjuanë në zonën e Leçes.
Si posedues të lëndës narkotike janë arrestuar dy shqiptarë me banim në Itali.
Në sajë të bashkëpunimit të ngushtë ka nisur një veprimtari policore e mirëfilltë me shkëmbim informacionesh për persona të dyshuar për veprimtari të trafikut të paligjshëm të cilët operojnë në shtetin italian.
Bazuar në informacionet e dërguara në rrugë operative nga Policia Kufitare Shqiptare nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali, policisë italianë dhe Guardia di Finanza të Pulias, u bë i mundur arrestimi i dy shqiptarëve B.K., 37 vjeç dhe A.D., 26 vjeç, të cilët ishin në përgatitje të trafikimit të lëndës narkotike në zonën e Leçes, Itali.
Aktualisht janë në vijim veprimtaritë policore dhe hetimore për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre.
Kjo veprimtari dëshmon se bashkëpunimi dhe koordinimi me forcat policore italiane nuk kufizohet vetëm në goditjen e trafikut në det, por edhe në brendësi të territorit qoftë ky në Shqipëri apo në Itali.