Site icon Telegrafi

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, sfidon vendosmërinë e Gjyqësorit

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme të fituar përmes aktiviteteve kriminale, pothuajse është i pamundur në rrethanat aktuale, thonë përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kohët e fundit, janë bërë disa ndryshime në legjislacion lidhur më konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Ndryshimet janë bërë në Kodin Penal si dhe në Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë së fituar me vepra penale.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë ka dështuar në konfiskimin e pasurisë së paligjshme të fituar nga aktivitete kriminale.

“Në bazë të monitorimit sistematik që bën Instituti i Kosovës për Drejtësi, në sistemin e drejtësisë rezulton se lufta për të konfiskuar pasuri të paligjshme të fituar përmes aktiviteteve kriminale, është pothuajse e dështuar. Në secilin rast prokurorët hezitojnë të paraqesin kërkesa për konfiskim dhe sekuestrim të pasurive dhe kjo është një prej mënyrave se si nuk luftohet krimi në të vërtetë, sepse krimi në të vërtetë luftohet duke ia konfiskuar pasurinë të gjithë personave që përfshihen në aktivitete kriminale”, thotë Musliu.

Ditë më parë në një takim me Odën e Avokatëve të Kosovës, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se askush s’do të mund të përfitojë jashtëligjshëm dhe askush s’do të mund të përdorë pasurinë e fituar nga kriminelët.

Sipas tij, shoqëria në Kosovë po vuan nga pabarazia, humbja e besimit në institucione dhe imazhi i keq i vendit, derisa mjetet e fituara nga krimi mbesin në dispozicion të akterëve të krimit të organizuar.

“Për ta tejkaluar këtë sfidë të sistemit të drejtësisë, kemi bërë ndryshime thelbësore në legjislacion, nisur nga Kodi Penal, Draft Kodi i procedurës penale si dhe Ligji i ri për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë së fituar me vepra penale, duke iu mundësuar organizatave të zbatimit të ligjeve, ashpërsim të masave kundër këtyre dukurive”, ka deklaruar Tahiri.

Mirëpo, Betim Musliu thekson se edhe para këtyre normave të reja legjislative, ka ekzistuar legjislacion i nevojshëm për të konfiskuar pasurinë e paligjshme të fituar përmes aktiviteteve kriminale.

“Asnjëherë nuk ka pasur pengesa ligjore që të ketë luftë efikase në drejtim të konfiskimit të pasurisë së paligjshme. Ajo që ka munguar dhe mungon është zbatimi i dispozitave nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Prokurorët janë thirrur në dispozita ligjore të cilat, kinse sipas tyre, nuk kanë qenë shumë adekuate për të bërë konfiskimin e pasurisë të fituar përmes aktiviteteve kriminale, por që ky ka qenë një blof, i cili vazhdimisht në publik është prezent nga ana e politikës për t’i arsyetuar mungesat e rezultateve në luftimin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme të krijuara nga aktivitetet e paligjshme”, thotë Musliu.

Mundësia e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, edhe sipas deputetit të pavarur Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, ka ekzistuar, por që me normat më të reja legjislative, shton ai, është përforcuar mundësia për konfiskim të kësaj pasurie të paligjshme.

“Fatkeqësia e madhe qëndron se një pjesë e madhe e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme në Kosovë, është në duart e njerëzve të pushtetshëm dhe rrjedhimit ka munguar vullneti që këta persona të ndiqen penalisht dhe si rezultat i tërë kësaj, nuk ka pasur mundësi që pasuria e tyre të konfiskohet”.

“Çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme ndërlidhet me pasjen e një sistemi të drejtësisë, i cili është funksional dhe që për arsye të mungesës së vullnetit politik një sistem i tillë mungon. Dhe, derisa ne nuk investojmë në atë drejtim, atëherë ne do të ballafaqohemi me situata të tilla kur ke bazë ligjore, por që nuk zbatohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë deputeti Sejdiu.

Ndryshe, me Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara, është shtuar numri i veprave penale për të cilat vlen konfiskimi. Aty është zgjeruar konfiskimi jo vetëm për të pandehurin, por edhe për palët e treta.

Sipas ligjit të ri, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga Gjykata. /rel/

Exit mobile version